Royal Travel në:
 
 


Ajete dhe hadithe rreth Haxhit

Falënderimi i takon Allahut Zotit të botërave, ndërsa paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], familjen dhe shokët e tij.

Vëlla musliman, falënderoje Allahun [subhanehu ve teala], i Cili ta zgjati jetën që të dëshmosh për kalimin e ditëve dhe muajve. Pra, nëse ke mundësi, merr iniciativë për vizitën e Shtëpisë së Allahut [subhanehu ve teala] qoftë ky obligim ose vepër vullnetare.

Allahu [subhanehu ve teala] thotë:
“Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt, Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që kanë mundësi të udhëtojnë, e kush nuk e beson ( nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.” [Ali Imran, 97]
Po ashtu Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Dhe kryeni Haxhin dhe Umrën për hir të Allahut.” [El-Bekare, 196]

“Dhe thirrë ndër njerëz për Haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” [El-Haxh, 27]
Vëlla musliman, Haxhi është një shtyllë prej pesë shtyllave të Islamit. I Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, vizita e Qabës si dhe agjërimi i Ramazanit.” [Muttefekun alejhi]

Muslimani e ka obligim që ta kryejë Haxhin nëse ka mundësi para se të merr mëkat. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shpejtone Haxhin ngase askush prej jush nuk e di se çfarë do t’i paraqitet atij (prej pengesave).” [transmeton Ahmedi]

Ndërsa transmetohet nga Abdurrahaman Thabit: “Kush vdes e nuk e ka kryer Haxhin dhe nga ai nuk e ka ndalur ndonjë sëmundje izoluese, apo mbret i padrejtë, apo ndonjë nevojë e dukshme, atëherë lë të vdes në cilëndo gjendje: jehudi apo i krishterë!”

Kurse Omeri [radijallahu anhu] ka thënë: Kam dashur që t’i dërgoj disa njerëz te këto qytete që të shikojnë çdonjërin i cili ka pasuri dhe nuk e kryen Haxhin, që t’ua caktojnë xhizjen (tatimin), sepse ata nuk janë muslimanë... nuk janë muslimanë!” [transmeton Bajhekiu]

Pra, është obligim për ty vëlla musliman iniciativa dhe shpejtimi për kryerjen e këtij obligimi të rëndësishëm, sepse çështja është e lehtë, e për këtë falënderimi i takon Allahut. Mos të të habisin ty shpresat. Pyete veten: Deri kur kështu duke e shtyer Haxhin për vitin tjetër? A thua, kush e di ku je ti në vitin tjetër, përmbi dhè apo nën dhè?! Mendo pak për gjendjen e gjyshërve tanë se si e kryenin Haxhin në këmbë, e kështu ata udhëtonin me muaj dhe netë të tëra për të arritur deri te shtëpia e lashtë (Qabja)!

Disa njerëz i pengon shejtani me disa arsye të dobëta. Kështu e sheh atë duke e shtyrë vit pas viti duke u arsyetuar me nxehtësinë e madhe si dhe me turmën e madhe që mund të përballet. E nëse është kështu pra thuaj: “Kur është ditur ndonjëherë për ditët e Haxhit e kundërta e kësaj?!” Vëlla musliman, vërtetë rëndësia e Haxhit është e madhe si dhe shpërblimi i tij është i madh. Tek ai bashkohet adhurimi me trup dhe pasuri. E para është: lodhja, mundimi, largimi nga familja, kurse në të dyten janë të hollat të cilat i shpenzon haxhiu për këtë.
Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ai që e kryen Haxhin dhe gjatë kësaj kohe nuk i është afruar gruas së tij dhe nuk ka shkelur dispozitat e Sheriatit, kthehet (nga Haxhi) sikur ditën që e ka lindur nëna e tij.” [Muttefekun alejhi]
I Dërguari [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] një herë është pyetur se cila është vepra më e mirë? Ai ishte përgjigjur: “Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” E pastaj cila? “Xhihadi në rrugën e Allahut” Pastaj cila? Përfundoi: “Haxhi i pranuar.” [transmeton Buhariu]

Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka nxitur në shtimin e punëve të mira dhe vijimin e Haxhit dhe Umrës. Ai ka thënë: “Vijoni ndërmjet Haxhit dhe Umrës, sepse ato dyja ndalojnë varfërinë dhe mëkatet ashtu siç largon gjyryku i farkëtarit papastërtinë e hekurit, arit dhe argjendit, kurse për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos xhenetit.” [transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu]
Gjithashtu ka thënë: “Prej kryerjes së Umres deri te Umreja tjetër shlyhen mëkatet që janë në mes tyre. Kurse për Haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përpos xhennetit.” [transmeton Muslimi]

O ti i cili ke vendosur të kryesh Haxhin, të përgëzoj me një ditë të madhe, në të cilën fshihen gabimet dhe falen mëkatet. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu e shpëton robin më së shumti nga zjarri se sa në ditën e Arafatit.” [transmeton Muslimi]

Pra, uroje vetën tënde, rehatohu dhe përgatitu për takimin me Allahun [subhanehu ve teala], dhe shfrytëzoje kohën tënde në dobinë e së cilës të kthehet në botën tjetër. Mu ajo do të gëzojë ty, në ditën kur nuk do të bëjë dobi as pasuria e as të afërmit… në ditën kur do të shpërndahen librat, dridhen dhe ndryshohen zemrat, e i sheh njerëzit të dehur e ata nuk janë të dehur por dënimi i Allahut është i rëndë. Ndërsa disa të tjerë, fatkeqësisht udhëtojnë në këto ditë dhe shpenzojnë pasuri, durojnë mundimet e kësaj shëtitje ose për turizëm dhe kështu e ndalojnë veten nga kryerja e Haxhit dhe shpërblimi i tij.

Vëlla musliman, puno për këtë botë në përmasë të qëndrimit tënd në të, e edhe për botën tjetër gjithashtu! Mos jeto në shpresa, sepse vdekja është para teje, sëmundja po të troket kurse angazhimet të pasojnë gjithnjë. Megjithëkëtë, kërko ndihmë prej Allahut dhe mbështetju Atij dhe bëhu prej atyre, të cilët në këtë vit thonë: Lebbejke Allahumme lebbejke - Të përgjigjemi o Zoti ynë të përgjigjemi.
Siç ka thënë njëri prej selefëve: Kujt i ka kaluar qëndrimi në Arafat këtë vit, le të qëndrojë për Allahun në hakun e Tij, të cilin e njeh atë. Kush nuk ka mundur që të flej në Muzdelife, le ta sajoi vendosmërinë e tij për punë të mira. Kush nuk mundet të arrijë në Mina, le ta pres epshin e tij këtu. Kush nuk mund të arrijë te Qabeja le t’i drejtohet Zotit të Qabes, sepse Ai është më afër atij që i lutet se sa damari i qafës.

O Allah ndihmona në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin Tënd. Ndihmoju haxhilerëve dhe atyre që e kryejnë Umren dhe na mundëso që të marrim pjesë në punët e mira!

Rregullat e haxhit dhe të umres
Rregullat dhe veprimet e caktuara që duhet medoemos për t’i bërë gjatë Haxhit dhe Umres janë:

- El Ihram,
- Telbie,
- Tavaf,
- Sa’ji,
- Qethja e flokëve,
- Dalja prej ditës së tervies dhe shkuarja në Mine,
- Qëndrimi në Arafat,
- Kthimi në Muzdelife dhe qëndrimi në Mesh’ari Haram,
- Veprimet që duhet bërë në ditën e Nahrit (hudhja e guralecëve në Xhumretul Akabe, prerja e kurbanit, qethja e flokëve apo rruarja e kokës, Tavaful Ifadatu),
- Kthimi i fundit në Mine dhe hudhja e guralecëve të mbetur.

Çdonjëri kur bën nijet për veshjen e ihramit, qoftë për Haxh a Umre, është e pëlqyeshme që më parë t’i shkurtojë thonjtë, mustaqet, të rruhet në të gjitha vendet të cilat zakonisht rruhet ose pastrohet, pastaj të merr abdest ose të lahet i tërë trupi, dhe në fund, trupi të mbështillet me dy çarçafë të bardhë e të pastër, me ç’rast me njërën mbulon pjesën e poshtme të trupit, gjersa me tjetrën pjesën e sipërme. Në këtë rast, është e pëlqyeshme që varësisht nga mundësitë trupi të parfumoset me erëra të mira e të këndshme.

Çarçafët të cilat vishen për haxh apo umre quhen Ihram, ndërsa kjo do të thotë të bërit nijet ose vendosje për ta bërë Haxhin ose Umren. Sa i përket çarçafëve, ata mund të jenë të mbajtur por me kusht që të jenë pastra si dhe të ngjyrave të ndryshme, porse më mirë është të jenë të rinj dhe të bardhë.
Pas kësaj haxhiu duhet t’i falë dy rekate namaz, e nëse është mufrid, pas faljes së namazit duhet të thotë: Allahume inni uridul-haxhxhe fe jessirhu li ve tekabbelhu minni - që në përkthim do të thotë: O Zot, vendosa që ta bëj Haxhin, ma lehtëso këtë dhe pranoje prej meje.

Ndërsa ai që për qëllim ka t’i kryejë bashkarisht Haxhin dhe Umren, gjatë këtij nijeti i shton edhe këto fjalë “vel umrete fe jessirhuma li ve tekbelhuma minni”, dhe këto fjalë vijnë pas fjalës “uridul-haxhxhe”, që do të thotë: O Zot, vendosa që ta bëj Haxhin dhe Umren, ma lehtëso dhe pranoji ato prej meje. Nijeti mund të bëhet edhe në gjuhën amëtare, porse këtu me rëndësi është që ai nijet apo qëllim të shprehet pastër, qartë dhe nga thellësia e shpirtit.

Posa ta thotë personi telbijen dhe ta bëjë nijetin për Haxh (Umre), konsiderohet se e ka kryer aktin e ihramit dhe është bërë muhrim. Pas këtij akti ai duhet të ketë kujdes të posaçëm dhe t’u shmanget marrëdhënieve seksuale, kontakteve intime bashkëshortore, nuk lejohet as të përmenden marrëdhëniet seksuale në prani të femrës, duhet të ketë kujdes në mospërdormin e fjalëve të ndyta, t’u shmanget veprave të shëmtuara, grindjeve dhe llomotitjeve, pastaj e ka të ndaluar mbytjen e gjallesave në tokë, e as të këshilloj dikë madje as me shenjë për gjah, duhet të ketë kujdes që të mos mbys as insektet, të mos parfumoset me livantë e erëra të ndryshme, të ndalohet nga shkurtimi i thonjve, rruarjes dhe nënqethjes së flokëve si dhe të pjesëve të tjera të trupit.

Po ashtu, muhrimit i ndalohet shkurtimi i mjekrës, mbulimi i kokës dhe fytyrës, larja e mjekrës dhe kokës me sapun që ka aromë të mirë e të fortë, por mund të përdorë vetëm sapun me aromë të rëndomtë. Gjithashtu, ai duhet të përmbahet nga veshja e këmishës, brekëve, palltos së gjatë, xhybes, qyrkut, herkës, sarëkut në kokë, kapelës, mesteve dhe çorapeve. Pra, muhrimi duhet t’ia ndalojë vetes çfarëdo petku të prerë ose të qepur që shërben për veshjen dhe mbathjen e trupit të njeriut, me përjashtim të nalleve apo papuçeve të cilat i ka lejuara. Po ashtu nuk duhet të përdoren çarçafe apo ihrame që janë të ngjyrosura e të parfumosura, era e të cilave nuk largohet, por ndihet vazhdimisht.

Ndërkaq, femra është më e lirë dhe mund ta mbulojë kokën, të mbathë meste dhe çorape si dhe mund të veshë rroba të qepura. Është karakteristike në këtë rast të theksohet se, femrat të cilat gjatë menstruacioneve nuk e kanë të lejuar të falin namazin e as të agjërojnë, pra në haxh i lejohen këto veprime. Ajo duhet të pastrohet dhe të fillojë t’i zbatojë të gjitha rregullat e haxhit, me përjashtim të tavafit rreth Qabes, të cilin duhet ta bëjë në fund të haxhit.

Muhrimi mund të lahet në banjë ose gjetiu, të përdorë ombrellën (çadrën) ose në ndonjë mënyrë tjetër të mbrohet nga dielli, ka të drejtë ta lidhë qemerin rreth vete, të hyjë në luftë kundër armikut ose kundër atij që sulmon i pari. Pejgamberi a.s. ka dhënë leje që në rastet kur muhrimit i kanoset rreziku nga ndonjë shtazë e egër, siç është luani, tigri, ujku, akrepi etj., ai mund ta mbysë atë në vetëmbrojtje.

Përveç këtyre ndalesave, nga muhrimi kërkohet që pas namazit të shqiptojë shumë telbije, t’i thotë ato kur hip mbi majën e ndonjë bregu ose kur zbret në luginë, kur të takohet me grupe kalorësish apo këmbësorësh si dhe para agimit. Telbijet mund të shqiptohen edhe në autobuse e aeroplanë.

Përmbajtja e telbjies është kjo:
LEBEJKELL-LLAHUME LEBBEJK. LEBBEJKE LA SHERIKE LEKE LEBBEJK. INNEL-HAMDE, VEN-NI’AMETE VEL-MULKE LEKE. LA SHERIKE LEKE! - që në përkthim do të thotë:
Të përgjigjem o Zot. Të përgjigjem, të përgjigjem. Ti nuk ke shok. Të përgjigjem. Ty të takon çdo lavdërim, mirësi dhe pushtet, në këtë Ti nuk ke shok.
Në këtë mënyrë ka vepruar edhe Pejgamberi a.s., i cili ka thënë: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “Thuaju shokëve tu që ta ngrehin zërin me telbije, se ajo është pjesë e rregullave të haxhit.” Duhet potencuar këtu se telbija thuhet prej momentit kur vishet ihrami e deri sa të hyhet në Mesxhidul-Haram.

Kur muhrimi hyn në Meke, pas vendosjes së plaçkave që i ka me vete, duhet të shkojë në Mesxhidul-Haram, dhe sapo ta vërejë El-Bejtul-Haramin, duhet ta thotë tekbirin (Allahu Ekber) dhe tehlilin (La ilahe ilAllah), edhe atë nga tri herë, e po ashtu, duhet të thotë ALLAHUME ENTES-SELAM, VE MINKES-SELAM, FEHAJNA RABENA BIS-SELAM. Tavafin e nis nga Haxherul Esfedi dhe pasi të drejtohet nga ai e thotë tekbirin dhe tehlilin, i ngre duart lart sikur në fillim të namazit, e pastaj në shenjë respekti e puth Haxherul-Esvedin nëse mund t’i afrohet pa vështirësi, e nëse nuk mundet, vetëm mund t’a prek me shuplakë të dorës (istilam), ose me ndonjë send tjetër të cilën pastaj, në shenjë respekti, duhet ta puthë, ngase atë e ka prekur edhe vetë Pejgamberi a.s.

Mirëpo, nëse ndodhë që të mos i afrohemi fare Haxherul-Esvedit, atëherë vetëm i ngrehim duart lart në drejtim të tij dhe në këtë mënyrë përfundon kjo shenjë respekti. Gjatë tërë kësaj periudhe shqiptohen tekbiret, tehlilet, falënderimet ndaj Allahut të Madhërishëm si dhe salavatet mbi Pejgamberin a.s.

Pas këtij akti fillon tavafi të cilin duhet nisur në të djathtë nga dera (multezem), ashtu që Qabja të mbetet në anën e majtë, duke e mbajtur ihramin e sipërm nën sqetullën e djathtë dhe duke i hedhur skajet e tij në krahun e majtë. Haxhiu duhet të sillet rreth Qabes shtatë herë, duke pasur kujdes që, gjatë tri tavafeve të para të shpejtohet me hapa të shkurtër duke i luhatur ngapak krahët (reml), kurse gjatë katër tavafeve të fundit duhet ecur më qetë. Gjatë kësaj, sa herë që të kalojë pranë Haxherul Esvedit duhet përshëndetur atë (duhet bërë istilamin) dhe kështu përfundon tavafi. Këtu duhet theksuar se, istilami preferohet edhe sa herë të kalohet pranë El-Ruknul Jemanisë.

Pas kësaj haxhiu duhet t’i falë dy rekate namaz pranë Mekami Ibrahimit, ose kudo qoftë tjetër në Mesxhidul Haram dhe këto dy rekate janë vaxhib që falen pas çdo tavafi, pra pas shtatë rrotullimeve që bëhen rreth Qabes. Ky është i ashtuquajturi Tavaful Kudum, i cili është sunet për çdo haxhi përveçse për banorët e Mekes. Pas këtij veprimi haxhiu duhet të kthehet kah Haxherul Esvedi dhe pasi ta bëjë istilahin e të pijë ujë nga burimi i Zemzemit, shkon në Safa, ngjitet lart aq sa ta shohë Bejtullahun dhe kthehet drejt tij duke kënduar tekbire, tehlile dhe salavate për Pejgamberin a.s. Në fund duhet bërë dua duke kërkuar nga Allahu çdo gjë që ai do. Pas kësaj duhet të niset drejt Merves duke ecur ngadalë deri te vendi ku ndodhen shenjat prej nga ecja bëhet me hapa më të shpejtë (saj). Kur arrihet në Merve veprohet ngjashëm sikur edhe në Safa. Me kaq është kryer vetëm një ecje (shevt). Pra, edhe këtu duhet të kryhen shtatë shevte, duke filluar që nga Safa e deri në Merve. (Nga Safa deri në Merve llogaritet një ecje apo shevt, dhe nga Merva e deri te Safa llogaritet ecja tjetër).

Pas kësaj, haxhiu do të qëndrojë në Meke si muhrim, tavafet rreth Bejtullahut mund t’i bëjë sa herë që të dëshirojë si nafile.
Në ditën e shtatë të Dhul-hixhes imami do të mbajë hutbe në Bejtullah, me ç’rast besimtarët i udhëzon për rregullat e haxhit. Po kështu, imami do të veprojë edhe në ditën kur do të qëndrohet në Arafat. Në këtë ditë e në këtë vend imami do t’i mbajë dy hutbe si me rastin e xhumasë, dhe me atë rast do t’i udhëzojë haxhinjtë mbi rregullat pasuese të haxhit (për qëndrimin në Arafat, Muzdelife, gjuajtjen e guralecëve në Xhemre, therjen e kurbanëve, rruarjen e kokës dhe tavafuz-zijaretin). Pas hutbes imami bashkë me xhematin do të falë namazin e drekës dhe të ikindisë me një ezan dhe dy ikamete.

Pas kësaj fillon vukufi. Ai mund të bëhet hipur në kalë, në deve ose duke qëndruar në këmbë gjë që është më e preferueshme. Për këtë duhet të merret abdest ose të lahet i tërë trupi, sepse kjo është sunet, në afërsi të bregut i cili quhet Xhebelul-rahmeti. Arafati është në përgjithësi vend ku mund të bëhet vukufi, porse duhet pasur kujdes se në anën e majtë të Arafatit, nga vendi ku bëhet vukufi, gjendet një terren që quhet Batnu Ureme e në të cilin vukufi kurrsesi nuk lejohet të bëhet.

Me rastin e vukufit, imami kthehet drejt kibles me krahë të hapur e të ngrehur lartë, falënderon Allahun Fuqiplotë duke i shqiptuar tekbire, tehlile, telbie dhe salavate Pejgamberit a.s., me ç’rast i lutet Zotit xh.sh. që t’ua plotësojë nevojat dhe dëshirat të gjithë muslimanëve, kurse xhemati qëndron pranë tij i drejtuar në drejtim të kibles dhe përcjell fjalët e thënë nga ai. Pas perëndimit të diellit, të gjithë haxhinjtë kthehen bashkarisht me imamin në Muzdelife të cilët qëndrojnë në afërsi të bregut Kuze, ku e falin namazin e akshamit dhe të jacisë me një ezan dhe dy ikamete.

Në Muzdelife kalohet nata. Sapo të fillojë agimi falet namazi i sabahut e pastaj bëhet vukufi. Imami vendoset në Mesh’ari Haram dhe bashkë me të gjithë haxhinjtë vepron sikurse në Arafat, pra, thuhen tekbiret, tehlilet, telbiet, salavatet dhe duatë.

Përndryshe Muzdelife është në tërësi vendi ku bëhet vukufi, përveç luginës Vadi Muhasir, që gjendet në të majtë të Muzdelifes. Me lindjen e diellit haxhinjtë marrin rrugën për në Mine ku imami fillon t’i gjuajë nga shtatë guralecë në Xhemretul-Akabe, që paraprakisht janë mbledhur në Muzdelife dhe të cilët duhet të jenë aq sa një lajthi.

Me rastin e gjuajtjes së çdo guraleci thuhet tekbiri. Largësia e gjuajtjes nuk duhet të jetë diku nga tri gjer pesë metra. Përndryshe, para hudhjes guraleci vendoset në majën e gishtit të madh dhe atij tregues dhe më pas hedhet. Kur fillon hedhja e guralecëve ndërpritet telbija. Duhet shtuar po ashtu se në Xhemretul-Akabe nuk është i domosdoshëm qëndrimi dhe haxhiu mund të ecë kur dhe kah të dojë ai. Pas hedhjes së guralecëve në Xhumretul-Akabe, nëse nijeti është bërë për Haxh Kiran ose nëse është Muttemett, në këtë rast duhet të theret kurbani, ndërsa nëse është Mufrid nëse dëshiron mund ta there atë. Pas therrjes së kurbanit haxhiu mund të rruhet ose të qethet dhe tani e tutje lirohet nga ndalesat, por akoma nuk ka të drejtë të bëjë marrëdhënie intime me gruan e tij. Po atë ditë, të nesërmen a të pasnesërmen haxhiu shkon në Meke që ta bëjë tavafuz-zijaretin, pa reml dhe pa sa’j, me ç’rast haxhiut i heqet edhe ndalesa e fundit, pra është i lirë që të bëjë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten.

Koha e tavafuz-zijaretit fillon prej ditës së parë të Bajramit dhe është e preferuar brenda mundësive të bëhet po atë ditë. Është mekruh të shtyhet pas ditëve të Bajramit, edhe pse vlen kurdo që të bëhet. Pastaj, haxhiu prej Mekes kthehet në Mine dhe në ditën e dytë të Bajramit, pas drekës, i hedh sërish shtatë guralecët në Xhemret. Me këtë rast duhet filluar nga Xhemreja e cila vjen e para me radhë prej xhamisë që quhet Mesxhidul-Haif dhe gjithashtu gjatë hedhjes së guralecëve duhet shqiptuar tekbirin, e pas hedhjes së çdo guraleci haxhiu qëndron para Xhemres dhe bën dua. Është e pëlqyer që me këtë rast të kërkojë nga Allahu xh.sh. falje për veten, prindërit e vet, farefisin, miqtë e tij dhe për të gjithë besimtarët muslimanë. Pastaj shkon edhe te dy Xhemret tjera dhe vepron ngjashëm si në të parën (pra hedh nga shtatë gurë), me përjashtim se në atë të fundit, pra në Xhemretul-Akabe nuk kërkohet qëndrimi. Edhe në ditën e tretë të hedhjes së guralecëve veprohet po ashtu si në dy ditët e para dhe pastaj haxhiu nëse dëshiron mund të kthehet në Meke, megjithëse mund të mbetet edhe në Mine ku edhe gjatë ditës së katërt mund t’i gjuajë gurët si gjatë ditëve të mëparshme.

Haxhiu me rastin e kthimit nga Mineja në Mekë duhet të pushojë paksa në vendin e quajtur El-Muhassabe. Haxhiu para se të largohet prej Mekës duhet ta bëjë Tavafis-sadri që quhet edhe Tavaful-Veda (Tavafi Lamtumirës). Ky tavaf bëhet pa remj dhe pa sa’j dhe është vaxhib për të gjithë haxhinjtë, përveç mekasve. Pastaj, haxhiu i afrohet burimit të Zemzemit në të cilin do të pijë ujë. Nëse do të ketë mundësi, haxhiu pastaj do të afrohet te dera e Qabes, do ta puthë atë dhe derën e saj (në shenjë nderimi), do të mbështetet me faqen e djathtë, me gjoks e me bark për El-Multezeme, pra për murin e Qabes ne mes të Haxherul-Esvedit dhe të derës së saj. Pastaj për një çast mbahet për mbulesën e Qabes (El-Istar) dhe me zemër të penduar i lutet Allahut Fuqiplotë për çfarëdo që dëshiron dhe në fund kthehet duke ecur prapa (në shenjë respekti) deri sa të dalë nga Mesxhidul Haremi (Qabja).

Duhet theksuar këtu se, ai që së paku për një moment zbret në Arafat ose vetëm kalon andej prej kohës së drekës së Jevmu-Arafesë (dita e nëntë të Dhul-hixhes) e deri në agimin e Jevmun-Nehras (dita e dhjetë), ai haxhi e ka kryer haxhin, madje nëse këtë e bënë rastësisht apo i alivanosur, madje edhe sikur të mos e dijë fare se gjendet në Arafat. Ndërkaq, personi i cili në Arafat nuk qëndron aq sa theksuam më sipër, nuk e ka të kryer haxhin, porse megjithatë do ta bëjë tavafin, sa’jin dhe do ta përfundojë ihramin, pra do të lirohet prej të gjitha ndalesave me kusht që vitin e ardhshëm sërish ta bëjë haxhin kada. Pasi nuk e ka plotësuar haxhin personi i tillë nuk është i obliguar që të therrë kurban.

Le të potencojmë këtu se, gjatë qëndrimit në Arafat është shumë mirë të thuhet lutja të cilën edhe vetë Pejgamberi a.s. e thoshte gjatë qëndrimit në këtë vend: LA ILAHE ILALLAHU VEHDEHU LA SHERIKE LEH LEHUL-MULKU VE LEHUL HAMDU, BIJEDIHIL-HAJRU, VE HUVE ALA KULI SHEJ’IN KADHR.

Tani, le t’i kushtojmë pak vëmendje edhe femrave që marrin udhën për në haxh. Ngjashëm si mashkulli ashtu edhe gruaja duhet t’i zbatojë të gjitha rregullat dhe ceremonitë që lidhen për haxhin, me përjashtim të këtyre rregullave:
- nuk i lejohet zbulimi i kokës, ka të drejtë veshjen e vellos, porse ajo nuk lejohet që t’i prekë fytyrën,
- nuk e shqipton me zë telbijen,
- nuk vrapon në mes shenjave të theksuara që gjenden mes Safas dhe Merves,
- nuk e rruan kokën, porse i shkurton pak flokët,
- duhet të veshë rrobe të qepura,
- nuk i afrohet Haxherul-Esvedit, kur pranë tij gjenden meshkujt,
- nëse i paraqitet hajzi (menstruacionet) duke qenë në ihram, lahet dhe i kryen të gjitha veprimet dhe rregullat e haxhit, përveç tavafit.
- nëse hajzi i paraqitet pasi ta kryejë Tavafiz-Zijaren, Tavafu-Sadri nuk i mbetet borxh dhe nuk ka nevojë për shpagim (kurban).
- Tavafi-sadri nuk i mbetet borxh as atij që vendosë për të mbetur në Meke.
- Ndërkaq ai që vendosë të therë ndonjë kafshë të trashë (deve a lopë) me qëllim për t’u shpaguar për thyerjen e ndonjë dispozite të haxhit, me këtë ai konsiderohet se e ka kryer si duhet obligimin.


Makkah TV Live Online 24/7
 
Medina TV Live Online 24/7




 

 

© Copyright 2010 - 2013 - Travel Agency / Tour Operator “Royal Travel”. ® All Rights Reserved. Adresa: Bulevardi Bill Clinton, p.n. (përballë shtatores së Bill Clinton-it), Prishtinë - Republika e Kosovës
+377 (0)44 121 619, +386 (0)49 121 619, +381 (0)38 610 810, +966 55 071 72 64 (Mekka Kontakt), info@royaltravel-ks.com, royaltravel.ks@gmail.com, skype: royaltravel.ks